RTSH 24 Live

Aktualitet

Drejtësia Digjitale e shpejtë dhe me standarde, qytetarët do kenë akses te çështjet

3 orë para

Drejtësia Digjitale e shpejtë dhe me standarde, qytetarët do kenë akses te çështjet

Qytetarët shqiptarë do të mund të aksesojnë sistemin e drejtësisë, duke gjurmuar ecurinë e çështjeve të tyre gjyqësore.

Kjo do të realizohet përmes projektit të Drejtësisë Digjitale.

"Sistemi i ri i menaxhimit të çështjeve do të trajtojë disa aspekte. Së pari, ne do të përmirësojmë shpejtësinë e proceseve gjyqësore në mënyrë që të eliminohen vonesat në çështjet e prapambetura dhe që procedurat të bëhen sa më të shpejta. Së dyti, ne synojmë të përmirësojmë transparencën dhe llogaridhënien në sistem, duke i lejuar qytetarët të gjurmojnë informacionin për çështjet e tyre," tregon Artem Danchenko, menaxher i projektit nga UNOPS në Shqipëri.

Ky projekt synon forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e ndërveprimit institucional dhe ofrimin e shërbimeve të drejtësisë më të shpejta e transparente.

"Qëllimi ynë nuk është thjesht të krijojmë një sistem, por ta bëjmë atë më të qëndrueshëm duke rritur gjithashtu ndërveprimin institucional. Ne do të ofrojmë pajisjet e nevojshme harduere të IT-së, si dhe do të zhvillojmë sistemin e menaxhimit të çështjeve për Prokurorinë," thekson z. Danchenko.

Sistemi i Drejtësisë Digjitale përafron shërbimet me standardet evropiane.

"Projekti 'BE për Drejtësi Digjitale' financohet nga Bashkimi Evropian me një buxhet prej 7,5 milionë euro dhe zbatohet nga UNOPS, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve, me një afat kohor rreth 4 vjet. Ne synojmë të adresojmë nevojat e disa organizatave qeveritare, duke përfshirë Qendrën e IT-së, Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucione të tjera," shton menaxheri i projektit.

Projekti i BE për Drejtësi Digjitale filloi në nëntor të 2024 dhe aktualisht është në fazën e vlerësimit të nevojave.

"Afati kohor i projektit është rreth 4 vjet. Ne synojmë ta arrijmë qëllimin tonë afër përfundimit të afatit kohor të projektit, por me siguri do të arrijmë disa nga objektivat gjatë këtij harku kohor," përfundon z. Danchenko.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/