RTSH 24 Live

Ekonomi

BSH parashikon 25 miliardë lekë kredi për biznesin e vogël me interes nën 3,5%

4 orë para

BSH parashikon 25 miliardë lekë kredi për biznesin e vogël me interes nën 3,5%

Ecuria pozitive ekonomike e viteve të fundit është mbështetur fuqimisht tek kredia e sektorit bankar.

Megjithatë, sipas analizave të Bankës së Shqipërisë (BSH), kredia ka rezultuar e diferencuar midis bizneseve të mëdha dhe korporatave dhe bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme.

Vlen të thuhet se kjo kategori biznesesh ka një rëndësi jetike për ekonominë shqiptare, pasi përbën 99 për qind të numrit total te bizneseve, gjeneron 80 për qind të vlerës së shtuar në ekonomi, si dhe punëson 80 për qind të forcës punëtore.

Pikërisht për fuqizimin e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, BSH-ja po ndërmerr një program specifik.

"Ky program financimi është një oportunitet i rëndësishëm për këtë kategori biznesi, për të zgjeruar investimet, për të rritur kapacitetet prodhuese, për të mundësuar produktivitetin dhe në fund kjo do të sjellë rritje më të balancuar të ekonomisë shqiptare dhe një mirëqenie më të lartë për shoqërinë shqiptare," tregon Erald Themeli, drejtor i Departamentit të Politikave Monetare në BSH.

Fondi i vënë në dispozicion nga BSH-ja nuk do t'i lëvrohet drejtpërdrejt sipërmarrjeve, por do të jenë bankat tregtare që do të kryejnë procesin e vlerësimit të planeve të biznesit.

"Fondi total i vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë për këtë program është në vlerën 25 miliardë lekë, çka i korrespondon afërsisht 1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2024," thotë z. Themeli.

Ky program ofron një avantazh për sipërmarrjet përfituese.

"Kemi parashikuar që kreditë, që do t'i akordohen kësaj kategorie biznesesh do të kenë një tavan norme interesi jo më të lartë se 3,5 për qind," sqaron drejtuesi i politikave monetare në BSH.

Programi tashmë është operacional dhe disbursimi i kredive pritet të nisë gradualisht përgjatë muajve të parë të 2025-ës.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/