RTSH 24 Live

Ekonomi

Promovimi i resurseve në Shkodër, Bashkia synon nxitjen e ekonomisë dhe investimeve

4 orë para

Promovimi i resurseve në Shkodër, Bashkia synon nxitjen e ekonomisë dhe investimeve

Krahas mbështetjes së sipërmarrjes dhe përmirësimit të klimës së biznesit, promovimi i resurseve natyrore e njerëzore në njësitë administrative është në fokusin e bashkisë së Shkodrës për vitin 2025.

Shefja e Drejtorisë së Planifikimit Strategjik pranë bashkisë, Stela Mardusha, thekson se këto zona kanë potenciale të konsiderueshme, që kërkojnë mbështetje dhe promovim për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

"Fokusi ynë do të jetë mbështetja ndaj bizneseve, por njëkohësisht edhe aktivitetet që do të zhvillojmë nëpër njësi të ndryshme administrative. Do të shkojmë për të promovuar vlerat, territorin, bukuritë natyrore që fal pozicioni gjeografik i bashkisë, si dhe do të promovojmë elementin kulturor-turistik të këtyre zonave," shprehet znj. Mardusha.

Ndërhyrjet e planifikuara nga bashkia do të përfshijnë organizimin e aktiviteteve të ndryshme me pjesëmarrjen aktive të banorëve të zonës, të cilët janë shprehur të gatshëm për të qenë pjesë e këtyre nismave.

"Janë të mirëpritura edhe nga banorët e zonës, sepse ështënjë mundësi shumë e mirë që edhe ata të promovojnë potencialet dhe pikat e forta, aktivitetet, që ata kanë filluar, qoftë ekonomike, kulturore apo fusha të gjëra zhvillimit," thotë drejtoresha e Planfikimit Strategjik.

Qëllimi kryesor i këtyre projekteve nga ana e bashkisë është nxitja e ekonomisë lokale dhe rritja e investimeve në këto zona, duke i kthyer burimet natyrore dhe njerëzore në avantazhe konkrete për zhvillimin e komunitetit.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/