Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha pretencën për të akuzuarit e dosjes së incineratorit të Tiranës, duke kërkuar 26 vite burgim për tetë të pandehurit.
Organi i akuzës kërkoi 4 vite burgim për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi do i zbresë në 2.8 vite.
Për Bledar Karolin u kërkua 4 vite burg me gjykim të shkurtuar 2.8 vite; për Fatjon Muratin 4 vite burg (me gjykim të shkurtuar 2.8 vite); për Taulant Tushen 4 vite burg (me gjykim të shkurtuar 2.8 vite), dhe për Namik Simixhiun 4 vite burg (me gjykim të shkurtuar 2.8 vite).
Po ashtu, SPAK kërkoi dënimin me 2 vite burg për Valbona Ballgjinin, që me gjykim të shkurtuar i konvertohet në shërbim prove; 2 vite burg për Sidita Koplikun që me gjykim të shkurtuar konvertohet po ashtu në shërbim prove, dhe për 2 vite burg Jetmir Llapajn, me gjykim të shkurtuar, që i konvertohet në shërbim prove.
Për tetë të pandehurit e kësaj dosje, prokuroria kërkoi që për 5 vite të mos ushtrojnë asnjë funksion publik, ku SPAK kërkoi që ata të shpallen fajtorë për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Kjo pretencë pritet të marrë ose jo miratimin e gjykatës së posaçme, e cila javës së ardhshme pritet të shqyrtojë kërkesat e organit të akuzës.
Dosjen e incineratorit të Tiranës, Prokuroria e Posaçme e kaloi për gjykim dhjetorin e vitit të shkuar, ndërsa hetimet u mbyllën në gusht të vitit të shkuar.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/