Një prej aktorëve, regjisorë, producentë dhe njerëzve me kontribut të çmuar në ngritjen dhe zhvillimin e televizionit shqiptar, Mevlan Shanaj shënon sot 80-vjetorin e lindjes.
Një jetë në skenë, në film, në regji e produksion, duke i dhënë pafundësisht art dhe cilësi kinematografisë dhe televizionit.
Mjeshtri i Madh, në një lidhje telefonike me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” nga Vietnami, i emocionuar nga urimet e moderatorëve, të ftuarve dhe kolegëve të tij, të cilët përcollën mesazhe në këtë datë të shënuar për Shanajn, ky i fundit nuk mundi të ruante emocionet dhe falënderimet e ngrohta për gjithsecilin prej tyre.
Shanaj u shpreh se në këtë 80-vjetor ndihet i bekuar për të gjithë njerëzit që i ka takuar në këtë rrugëtim jete.
“Surpriza më e bukur kjo që më bëtë ju. Mbrëmë natën më kërkuan studentët një montazh që më uronin. U befasova. Kishin gjetur fjalët më të bukura. U emocionova dhe më ranë lot. Mëlanë pa gojë këta miqtë e mi. Këta kolegët e mi qenkan të gjithë më të zgjuar se unë, se më thanë fjalë kaq të zgjuara. Të gjithë dua t'i puth”, tha me emocione Mevlan Shanaj.
Ky i fundit ka risjellë në kujtesë momentet kur ka nisur të ketë kontaktin e parë me televizionin e kamerat.
“Kam 60 vite në ekran. Në televizion kam qenë student kur kam filluar si spiker lajmesh, më tej me regjistrime dhe në ’69 si regjisor. Kam bërë gjithçka në maksimum për të mirën e ekranit, televizionit dhe vetes.
Nuk jam mërzitur kurrë me këtë sistem. Bëj pjesë te grupi i njerëzve me ëndrra të palodhshëm, sidomos sa i përket krijimtarisë. Edhe gënjej pak veten, dale prit se kjo që do vijë do jetë puna ime më e mirë.
Nuk ka ndodhur te unë një dorëzim, apo lodhje, por vetëm insistim për të bërë më të mirën.
Kështu e nisëm në televizion, me gjërat më të thjeshta, ishim një grup me 27 veta që eksperimentuam dhe televizioni na e dha këtë mundësi. Nga spiker, reportazhi, dokumentari, filmi, koncertin spektaklin, shouman, dhe gjithë ëndrra e regjisorëve është të arrijnë te filmi.
Në ’91 isha në RAI dhe kisha grumbulluar një seri timen artistike. Me kolegët u bëmë më konfident dhe u shfaqa CV-në time. Ata të shkretët në televizion, të shtypur, më thanë: ne ëndërrojmë të mbërrijmë këto që ke arritur ti, pse ke ardhur në Itali?
Bëra humor, dhe iu thashë: unë erdha të mësoj nga ju, por do mësoni ju nga unë”, u shpreh Shanaj.
Aktori e regjisori i mirënjohur, nuk ka kursyer fjalët e mira dhe për bashkëshorten e tij, poeten Natasha Lako.
“Natasha është mikja ime, shoqja ime, bashkëpunëtorja ime dhe kam disa punë kryesore me autore Natashën.
Është emër i madh i letërsisë shqipe, nga Natasha vetëm kam mësuar”, u shpreh Shanaj.
/rtsh.al/