RTSH 24 Live

Botë

Lirimi i gazetarit dhe të burgosurve të tjerë nga Rusia, Biden: Fitoi diplomacia

01/08/2024

Lirimi i gazetarit dhe të burgosurve të tjerë nga Rusia, Biden: Fitoi diplomacia

Presidenti Joe Biden e ka konsideruar lirimin e të burgosurve amerikanë nga Rusia si fitore të diplomacisë së SHBA-ve. Duke iu referuar lirimit të të burgosurve amerikanë nga Rusia, përfshirë gazetarin Evan Gerskovich.

Biden tha se Paul Whelan, Evan Gershkovich, Alsu Kurmasheva dhe Vladimir Kara-Murza “më në fund po kthehen në shtëpi”.

 “Marrëveshja që siguroi lirinë e tyre ishte një vepër e diplomacisë. Gjithsesi, ne kemi negociuar lirimin e 16 personave nga Rusia—duke përfshirë pesë gjermanë dhe shtatë shtetas rusë që ishin të burgosur politikë në vendin e tyre. Disa nga këta gra dhe burra janë mbajtur padrejtësisht për vite me radhë. Të gjithë kanë duruar vuajtje të paimagjinueshme dhe agonia e tyre ka marrë fund”, tha Biden.  

Gjithashtu, sipas Shtëpisë së Bardhë presidenti Biden do të punojë për të sjellë në shtëpi çdo amerikan të arrestuar padrejtësisht.

Biden tha më tej se ai është “mirënjohës ndaj aleatëve tanë që qëndruan me ne gjatë negociatave të vështira dhe komplekse për të arritur këtë rezultat, duke përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Slloveninë, Norvegjinë dhe Turqinë”.

“Marrëveshja është një shembull i fuqishëm se pse është jetike të kesh miq në këtë botë, të cilëve mund t'u besosh dhe të mbështetesh”, tha Biden ndërsa shtoi se “nuk do të ndaloj së punuari derisa çdo amerikan i arrestuar ose i mbajtur peng padrejtësisht në mbarë botën të ribashkohet me familjen e tij”

/rtsh.al/