Përveç Egjiptit dhe Autoritetit Palestinez, komuniteti ndërkombëtar ka dënuar ashpër qëndrimin e Donald Trump kur deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin kontrollin mbi Gazën.
Pas kësaj deklarate ka reaguar politika botërore duke vënë theksin te zgjidhja me dy shtete në rajon. Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, përsërit angazhimin e vendit për një zgjidhje me dy shtete.
“Ne duhet të shohim palestinezët të jetojnë dhe të përparojnë në vendlindjet e tyre në Gaza dhe Bregun Perëndimor”, u tha ai gazetarëve gjatë një udhëtimi në Kiev.
Ministria e Jashtme franceze ka përsëritur kundërshtimin e saj për “çdo zhvendosje të detyruar të popullsisë palestineze të Gazës” duke theksuar se territori nuk duhet të kontrollohet nga një palë e tretë.
Sipas Francës, një zgjidhje me dy shtete është “e vetmja që mund të garantojë paqen afatgjatë” për izraelitët dhe palestinezët.
Në Rusi, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u shpreh se një zgjidhje në Lindjen e Mesme është e mundur vetëm duke zbatuar parimin e dy shteteve.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite ka deklaruar hapur refuzimin e saj mbi “çdo përpjekje për të zhvendosur palestinezët nga toka e tyre".
Sipas Arabisë Saudite, nuk të vendosen lidhje me Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez.
Si Kina ashtu edhe kryeministri australian Anthony Albanese kanë mbështetur nevojën për një zgjidhje me dy shtete.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Turqisë thotë se çdo plan që i lë palestinezët "jashtë ekuacionit" do të rezultonte në rritjen e konfliktit.
/rtsh.al/