Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer ka përsëritur mbështetjen e Britanisë për një zgjidhje me dy shtete dhe ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së armëpushimit aktual në Gazë.
I pyetur në lidhje me planet e Trump për marrjen e Gazës nga SHBA gjatë pyetjeve të Kryeministrit, Starmer tha se ishte tronditur nga fotot e fundit të mijëra palestinezëve që po ecnin përmes rrënojave të Gazës.
“Ata duhet të lejohen të kthehen në shtëpi, duhet të lejohen të rindërtojnë shtëpitë e tyre, duhet të jemi me ta në atë rindërtim në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete” i tha ai Dhomës së Komunave.
Ndërkaq, një gazetar palestinez duke folur për BBC-në ka theksuar se “njerëzit në Gazë, si në të gjithë botën, janë thellësisht të lidhur me vendin ku kanë lindur, janë rritur dhe kanë jetuar gjithë jetën”.
Ai thotë se ka përjetuar disa luftëra dhe ka pasur mundësinë të largohet nga Gaza që nga 7 tetori 2023, por ka vendosur të mos e bëjë këtë.
“Secili prej nesh është thellësisht i lidhur me shtëpitë tona dhe ne do të refuzonim çdo dëbim” tha ai në një bisedë telefonike nga Gaza qendrore.
“Ne do të qëndrojmë të vendosur në këtë tokë edhe pse ka vdekje dhe shkatërrim”, ka shtuar ai.
/rtsh.al/