Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, në një konferencë me gazetarët u shpreh se "Kina është "kategorike kundër" rritjes së tarifave doganore amerikane për produktet e saj dhe i bëri thirrje Uashingtonit që të angazhohet në "dialog" pasi njoftoi një sërë masash si përgjigje.
"Kina shpreh pakënaqësi të thellë dhe kundërshton me vendosmëri" masat e SHBA, tha Lin Jian.
“Ajo që na duhet tani nuk është një rritje e njëanshme e tarifave, por dialog dhe konsultime të bazuara në respektin reciprok”, shtoi ai.
"Masat e marra nga Kina janë veprime të nevojshme"
Kina, në përgjigje të vendosjes së tarifave shtesë prej 10% nga Uashingtoni për të gjitha produktet kineze, njoftoi një plan për të vendosur tarifa deri në 15% për disa importe amerikane nga 10 shkurti, duke i dhënë kohë Uashingtonit dhe Pekinit që të përpiqen të arrijnë një marrëveshje.
“Masat e marra nga Kina janë një veprim i domosdoshëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime”, tha zëdhënësi diplomatik kinez.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se nuk po nxiton të flasë me presidentin kinez Xi Jinping në përpjekje për të zbutur një luftë të re tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. I pyetur për një komunikim të mundshëm në të ardhmen mes dy liderëve, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze nuk dha sqarime.
/rtsh.al/