Jorgo Papingji, poeti dhe tekstshkruesi i mjaft prej këngëve të njohura është kujtuar mes familjarëve, miqve e kolegëve.
Ata sollën në vëmendje copëza kujtimesh, duke jetësuar figurën e Papingjit, por edhe lidhjen që ai ka me Ditë kombëtare të Jetimëve, i rritur pa praninë e babait, që nuk e njohu kurrë.
"Jo pa qëllim është bërë ky promovim. Jorgoja ka një lidhje shumë të ngushtë me jetimët. Ai është rritur jetim, sepse nuk e njohu asnjëherë babain e tij. I ati u mor nga gjermanët kur ishte 8-muajsh dhe vdiq në kampet e internimit në Austri në 1945. Jorgoja ka qenë i lidhur sidomos me fëmijët jetimë, ka bërë shumë aktivitete me ta. Ai ka një mori të madhe tekstesh. I punonte edhe në minutën e fundit, pavarësisht nga gjendja fizike. Nëse lexuesi do i shohë, do vërejë që kanë një moral, janë një tregim. Nëpërmjet tyre lexuesi do të shohë se sa shumë e jetonte jetën Jorgoja, sa i lidhur ishte me njerëzit dhe jo pa qëllim libri titullohet 'Mes jush jetoj'. Me këtë libër ai do të jetojë midis nesh përgjithmonë," thotë Tatjana Papingji, bashkëshortja e poetit të ndjerë.
Libri "Mes jush jetoj" përmban krijimtarinë e tij më të mirë të 50 viteve. Kështu shprehet autori Ilir Çumani.
"Gjithmonë kemi luftuar për të ngritur lart dinjitetin e kësaj shtrese, se duke promovuar vlera të tilla, siç është Dita e sotme, një figurë shumë e ndritur që vjen nga komuniteti i jetimëve, që të frymëzon," shprehet z. Çumani.
"Mes jush jetoj" është si një libër-homazh për poetin, jeta e të cilit vjen nga rrëfimet e miqve, që nuk janë të paktë.
Nuk e ndali penën, deri ditët e fundit të jetës së tij. Poeti, vargjet e të cilit janë rrënjosur në memorien kolektive, ridimensionohet në këtë libër për të mbajtur gjallë vlerën dhe kontributin e papërsëritshëm.
Gazetare: Elda Lame
/rtsh.al/