Kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro dhe Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, janë paraqitur sot (24 janar) në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Fillimisht ka qenë kryebashkiaku Duro që është paraqitur në SPAK, në lidhje me dhënien e një leje për licensimin e një karburanti që ishte ndërtim pa leje. Kujtojmë se Duro u paraqit në SPAK gjithashtu 8 ditë më parë për të njëjtën çështje, ndërsa nuk ka asnjë prononcim për media. Duro është dërguar për gjykim nga SPAK nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, së bashku me 4 zyrtarë të tjerë.
Pak minuta pas daljes së Duros nga SPAK, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme antikorrupsion ka hyrë i shoqëruar nga avokati i tij, edhe kryebashkiaku Memolla.
Ky i fundit akuzohet për korrupsion në zgjedhjet lokale, pasi në një video të bërë publike nga mediat, Memolla asokohe kandidat në zgjedhje, i kërkonte një elektricisti për të mos i ndërprerë energjinë një abonenti debitor, me qëllim që ai të votonte në favor të tij.
/rtsh.al/