RTSH 24 Live

Aktualitet

Begaj takon ambasadorin e ri Marco Alberti: Mirënjohës Italisë për mbështetjen drejt BE

8 orë para

Begaj takon ambasadorin e ri Marco Alberti: Mirënjohës Italisë për mbështetjen drejt BE

Presidenti Bajram Begaj pranoi sot (24 janar) Letrat Kredenciale të Ambasadorit të ri të Italisë në Shqipëri, Marco Alberti (lex. Marko).

Gjatë takimit, Presidenti Begaj shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve shqiptare për të mbështetur Ambasadorin Alberti në përmbushjen e detyrave të tij diplomatike gjatë mandatit në Tiranë.

Në bisedë u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, duke u theksuar angazhimi për thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve, i bazuar në lidhjet historike, ekonomike dhe kulturore.

Presidenti Begaj tha se Shqipëria dhe Italia kanë zhvilluar një dialog intensiv dhe pozitiv në të gjitha fushat e bashkëpunimit, me fokus të veçantë në forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe mbështetjen e përbashkët për perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

"Shqipëria do të jetë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e Italisë ndaj politikës së zgjerimit të BE-së dhe për rolin e saj proaktiv në mbrojtjen e perspektivës së Shqipërisë për anëtarësim në BE", tha Presidenti Begaj.

Takimi u shoqërua edhe me një diskutim mbi rolin e arbëreshëve në Italinë e cila ka shërbyer si një urë lidhëse mes dy kombeve. Po ashtu, u vlerësua integrimi i shqiptarëve në Itali, si dhe kontribuimi i bizneseve italiane në Shqipëri dhe shkëmbimet turistike që ndihmojnë në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

/rtsh.al/