Më shumë se 60 fëmijë paraqiten në ditë pranë urgjencës pediatrike në Sarandë të prekur nga virozat. Bluzat e bardha shprehen se shqetësimet kryesore, janë kollë, temperaturë e lartë si dhe dhimbje barku.
Nga 40 deri në 60 vizita në ditë kryhen në këto ditë janari në Pediatrinë e Spitalit "Petro Nako" të Sarandës. Ndërkohë, me shtim të dukshëm rezultojnë edhe shtrimet në spital, kryesisht bebet deri në një vjeç. Sipas mjekes pediatre Myrvete Jaku, kjo ngarkesë e shtuar virusale, që përkon me stinën e dimrit, ka ardhur kryesisht nga infeksione në rrugët e sipërme të frymëmarrjes.
“Gjatë javëve të para të janarit ka pasur një shtim të rasteve me infekesion në rrugët e sipërme respiratore dhe shtim të shtrimeve në pavijonin e pediatrisë këtu në Sarandë. Për 24 ore numri i vizitave ka shkuar 50 deri në 60 raste dhe kryesisht moshat e vogla nën një vjeç, me diagnozën kryesore, bronkolite akute”- u shpreh për RTSH, mjekja pediatre Myrvete Jaku.
Megjithë këtë ngarkesë, pjesa më e madhe e të sëmurëve janë trajtuar në Pavijonin e Pediatrisë, por nuk kanë munguar edhe rastet kur janë nisur drejt Tiranës, për trajtim më të specializuar.
Ka ndodhur që mjekët Pediatër disa simptoma të të ekzaminuara te fëmijët e sëmurë, ua ka çuar mendimin edhe te një variant i Covid të mundshëm dhe i tillë ka qenë edhe trajtimi i aplikuar në kushte spitalore apo ambulatore, në shtëpi.
Momentalisht shtetasit e Pediatrisë së Sarandës janë të mbushura, por pa raste të rënda dhe përmirësime të dukshme.
Në Pediatrinë e Sarandës ofrohen shërbime shëndetësore në kushte optimale, pas investimit serioz të kryer kohët e fundit.
Një investim më vete përfaqëson shërbimi që jepet në këtë pavijon të dedikuar fëmijëve, nga mjekë të përkushtuar.
/rtsh.al/