Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se 65 nxënës të shkollës së Mesme Profesionale Hoteleri-Turizëm, janë bërë pjesë e programit prestigjioz “VET by EHL” të Shkollës Zvicerane të Hotelerisë Luzanë (EHL).
“Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, ju prezantojmë me nxënësit e Shkollës së Hoteleri-Turizmit Tiranë, të cilët po ndjekin programin prestigjioz të Shkollës Zvicerane të Hotelerisë Luzanë (EHL) në 3 drejtime, kuzhinës, hotelerisë dhe shërbimit ushqimi dhe pije”, shkruan kryeministri.
Sipas tij, programi “VET by EHL’ është një gur kilometrik për përmirësimin e cilësisë dhe ekselencës në arsimin profesional, duke përgatitur brezin e ri për standardet më të larta ndërkombëtare.
EHL është shkolla e parë hoteliere në botë, e themeluar në 1893 si Ecole hôtelière de Lausanne, duke u renditur në vitin 2024, për të gjashtin vit radhazi, si shkolla më e mirë e hotelerisë në botë.
/rtsh.al/