RTSH 24 Live

Sociale

Vonesat në të folur, logopedët: Mbani fëmijët larg pajisjeve teknologjike!

25/01/2025

Vonesat në të folur, logopedët: Mbani fëmijët larg pajisjeve teknologjike!

Teknologjia po shton ndjeshëm numrin e fëmijëve me vonesë në të folur dhe të ndërvepruar.

Në qytetin e Vlorës, logopedët theksojnë se vitet e fundit numri i të vegjëlve që kanë probleme me të folurin, reagimin apo dëgjimin është rritur ndjeshëm.

Për logopedi Sasha Rexhepaj, sot fëmijët mbi të gjitha po dëmtohet nga pajisjet teknologjike.

"Realisht është shqetësuese, sepse numri i rasteve është në rritje. Ekspozimi ndaj ekraneve shpeshherë bën që fëmijët të marrin një fluks të madh informacioni në disa gjuhë, që e kanë të vështirë për ta përpunuar. Teknologjia është bërë si një lloj terreni, që i jep mundësinë kësaj faze vonese zhvillimore që të çelë," thotë z. Rexhepaj.

Logopedi ndalet gjithashtu te ndërgjegjësimi që duhet të kenë prindërit.

"Është shumë e rëndësishme që prindërit të luajnë me ta, të kalojnë më shumë kohë cilësore me fëmijët, sepse kështu do të arrijnë të kuptojnë pikat e tyre të dobëta dhe të forta, dhe ka mundësi që t'ua kompensojnë që në fillimet e hershme. Nuk duhet të presim duke pasur frikë nga mite të caktuara që i kemi në kulturën e sotme të trashëguara nga e shkuara, që ky fëmijë po flet me vonesë se kështu ka folur xhaxhai apo një i afërm," shton logopedi Rexhepaj.

Specialistët gjithashtu i këshillojnë prindërit të kalojnë khë cilësore me fëmijët dhe në çdo rast kur shihen probleme duhet t'u drejtohen atyre.

/rtsh.al/