Megjithëse në një qark, historikisht, bastion i PS-së dhe megjithëse me një opozitë jo shumë të organizuar dhe me probleme të brendshme, Gazment Bardhi, që drejton qarkun e Fierit për opozitën, beson se do të ruajë koutat maksimale.
Kjo përkthehet në 7 mandate nga 16 që ka gjithsej qarku. “Kam objektiv të marr aq mandate saç është maksimumi i historikut elektoral të PD dhe koalicionit, që do të thotë se objektivi do të duhet të jetë edhe më i lartë se rezultati që PD ka marrë në 2021.
Po punojmë në këtë drejtim. Ajo që dua të konfirmoj është se kurrë nuk kam gjetur kaq shumë mllef ndaj besimit të tradhëtuar prej 12 vitesh të socialistëve nga kjo qeveri dhe kaq shumë zemërim për arrogancën me të cilët i trajton socialistët zëvendësja e Edi Ramës, Belinda Balluku, e cila është drejtuese e qarkut për PS në qarkun e Fierit.”- tha Gazment Bardhu në intervistën “Pa Censurë”.
Ai u pyet edhe për largimin e detyruar të deputetit Erion Braçe nga qarku i Fierit, ku ai punonte prej vitit 2013, por përdori një gjuhë të kujdesshme, edhe pse të dy kundrshtarët kanë patur përplasje të forta në Kuvend.
“Nuk i bëj llogaritë me largimet nga kampi kundërshtar i PS. Nuk dua të komentoj vendimet e ekipit kundërshtar, por, mesa duket, e kanë konsideruar të pavlerë deputetin Braçe në qarkun e Fierit.”- u shpreh nënkryetari i PD-së.
Zoti Bardhi përsëriti disa herë gjatë intervistës në emisionin “Pa Censurë” numrin 75 të mandateve që opozita synon të fitojë në zgjedhje, 1 më shumë sesa PS ka aktualisht në qeverisje dhe kësaj fitoreje do t’i kontribuonte, veçanërisht, qarku i Fierit.
“Nuk duhet të fiksohemi tek numrat, por e rëndësishme është që PD në zgjedhje të marrë rezultatin maksimal të historikut që PD ka në qarkun e Fierit. Nëse ka një qark, ku socialitstët që i kanë dhënë besim PS, veçanërisht në këto 12 vite, kanë shansin të reagojnë për veten e tyre, ky është qarku i Fierit.”- tha zoti Bardhi për RTSH.
/rtsh.al/