Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi të premten një takim me Departamentin “Brain Gain dhe Ekselencës” në selinë e PD. Në këtë takim, Berisha prezantoi nismën me titull “Ne mundim, ata thyhen! Ballë për ballë me propagandën”.
Berisha, në hyrje të fjalës së tij, bëri një kthim pas në kohë, në ditët e para të themelimit të PD-së. Sipas tij, kur PD-ja u themelua, 99.9% e njerëzve nuk kishin asnjë lidhje me shtet-ndërtimin apo me institucionet.
“Në tërësi ishin intelektualë të fushave teknike ose humanitare, por që vendosën idealet e tyre të lirisë. Njerëzit duhet të jenë të lirë, të flasin lirisht, të votojnë të lirë”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, këta njerëz arritën të ndërtojnë, të shndërrojnë në realitet idealet e tyre me vështirësi.
“Por një gjë kurrë nuk duhet harruar, se Shqipëria nga viti 1992-2013, në dijeninë time, është vendi i vetëm që është rritur 21 herë. Në vitin 1992 rrogat ishin 5-6 dollarë, rroga ime si president ishte 16 dollarë. Dhe kur e thashë një ditë më kishte shkruar dikush në Facebook se po tregon ëndrra, ai kishte të drejtë se nuk mund ta besonte, por e vërteta ishte se kjo ishte Shqipëria”, theksoi ai.
Kryetari i PD-së tha se sot është një formë narko-diktature, ndër format më të këqija të diktaturave.
“Kam menduar shumë herë dhe kam një ambiguitet në veten time se, si ka mundësi që një komb që përjetoi një mynxyrë kaq të madhe, siç ishte diktatura staliniste e pranoi këtë të dytën pa ndonjë rezistencë të madhe”, nënvizoi ai.
Berisha u ndal edhe tek votimi nga jashtë në zgjedhjet e 11 majit.
"Do ta mbyll duke ju përgëzuar edhe njëherë e duke ju ftuar ju, anëtarëve të këtij departamenti, por të gjithë studentët, specialistët, intelektualët jashtë të jepni kontributin tuaj më të madh të mundshëm në ushtrimin e të drejtës kushtetuese të votës, të jepni kontributin tuaj më të madh të mundshëm në ushtrimin e të drejtës kushtetuese të votës të bashkëatdhetarëve tanë jashtë vendit. Është e një rëndësie të jashtëzakonshme që nga 1 milion e 500 mijë shqiptarë jashtë vendit me të drejtë vote, shumica e tyre të mund të votojnë. Të firmosin me votën e tyre ndryshimin, rotacionin se e vërteta është që ‘ata thyhen dhe ne i mundim’ dhe ne kemi një program të shkëlqyer, kemi një program transformues, kemi një program shpëtimtar për Shqipërinë”, deklaroi Berisha.
/rtsh.al/