RTSH 24 Live

Aktualitet

Vengu mbledh atashetë ushtarakë: Bashkëpunim me aleatët në industrinë e mbrojtjes

24/01/2025

Vengu mbledh atashetë ushtarakë: Bashkëpunim me aleatët në industrinë e mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot në një takim me Atashetë Ushtarakë të Republikës së Shqipërisë, të akredituar në vendet aleate dhe partnere.

Në takim merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë të Shqipërisë në strukturat kryesore të NATO-s.

Në lajmin e bërë publik në rrjetet sociale, ministri Vengu gjatë takimit theksoi se përfaqësimi sa më dinjitoz i tyre në këto struktura, është me rëndësi të veçantë, ashtu sikurse edhe lobimi më intensiv për projektet ambicioze në kuadër të Aleancës.

“Baza Detare e Porto Romanos, Baza Ajrore e Kuçovës dhe mobiliteti përgjatë Korridorit VIII janë disa nga projektet madhore që kërkojnë angazhim të shtuar”, tha ai.

Ministri vuri në dukje se bashkëpunimi me aleatët në industrinë e mbrojtjes ka një prioritet të padiskutueshëm, ndërsa theksoi se janë bërë hapa të rëndësishëm për të përforcuar këtë sektor.

“Me një angazhim të përbashkët, do të vazhdojmë të promovojmë Forcat tona të Armatosura dhe rolin e jashtëzakonshëm në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në rajon e më gjerë”, u shpreh Vengu.

 

/rtsh.al/