RTSH 24 Live

Aktualitet

Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, policia e Tiranës arreston një 40-vjeçar

25/01/2025

Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, policia e Tiranës arreston një 40-vjeçar

Merr fund arratia disa vjeçare e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Policia bëri të ditur se është kapur nga Policia Rrugore e Tiranës, një 40-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Italiane, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe për trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit në automjet, atij iu gjet dhe iu sekuestrua edhe një shkop metalik.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, gjatë kontrolleve parandaluese me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe kapjen e personave në kërkim që qarkullojnë me automjete, bazuar në inteligjencën policore për një shtetas të kërkuar nga Italia, i cili lëvizte me automjet në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë bërë të mundur lokalizmin dhe ndalimin e automjetit tip “Nissan”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, shtetasi E. P., 40 vjeç, rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “ Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.”, njofton policia.

Në vijim të veprimeve Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr. 2, bënë arrestimin provizor me qëllim ekstradimi të 40 vjeçarit E.P. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

/rtsh.al/