Policia bëri të ditur se të shtunën në mbrëmje, tek Komuna e Parisit, tek Kika 1, ka rënë zjarr në garazhdin e një pallati 8-katësh. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilët po bëjnë të mundur evakuimin e banorëve, ndërsa shërbimet zjarrfikëse po punojnë për fikjen e zjarrit.
Nga ana tjetër, sipas raportimeve nga strukturat e Mbrojtjes Civile të Bashkisë Tiranë, zjarri në katin nëntokë të Kompleksit Kika në Komunën e Parisit është vënë nën kontroll nga 2 mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë zjarrfikës.
Janë djegur 3 automjete të parkuara, banorët janë evakuuar dhe situata nuk paraqet rrezik për njerëzit. Ka ende prezencë tymi dhe paraprakisht dyshohet se shkaku është një shkëndijë elektrike.
“Strukturat e MZSH dhe Policia e Shtetit po vijojnë veprimet në vendngjarje për të garantuar sigurinë dhe hetimin e plotë të rrethanave.”, njofton Mbrojtja Civile e Bashkisë Tiranë.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
/rtsha.al/