Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë merr pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit gjyqësor 2025 të Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë.
Me ftesë të Kryetares së Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë, Margherita Cassano, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Holta Zaçaj, mori pjesë në veprimtaritë e zhvilluara me rastin e hapjes së vitit gjyqësor të Gjykatës së Lartë të Kasacionit, të cilat u zhvilluan në Romë, Itali, në datat 23 – 24 janar 2025.
Ceremonia solemne e hapjes së vitit gjyqësor 2025 të Gjykatës së Lartë të Kasacionit u nderua nga prania e Presidentit të Republikës të Italisë, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Ministri i Drejtësisë, krerë të sistemit të magjistraturës dhe avokatisë.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Kryetarja Cassano u shpreh se magjistratura në përgjithësi duhet të jetë e ndërgjegjshme për përgjegjësitë e saj në konsideratë të frymës së bashkëpunimit me të gjithë aktorët e drejtësisë, duke e vënë theksin po kështu tek sensi i respektimit të kufijve dhe të masës, të qenies i kujdesshëm ndaj arsyeve të tjera, përtej bindjeve individuale, çka në thelb të gjitha së bashku do të përbënin një dëshmi të gjallë të paradigmës se si një sistem gjyqësor duhet të funksionojë.
Në kuadër të kësaj vizite, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, së bashku me Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi, dhe zëvendëskryetarin e kësaj gjykate, Ilir Panda, kanë zhvilluar takime në Gjykatën Kushtetuese me Kryetarin, Giovanni Amoroso, dhe dy zëvendëskryetarët, Franco Modugno dhe Giulio Prospereti, në Gjykatën e Lartë të Kasacionit me Kryetaren, Margherita Cassano, si dhe në Presidencë me z. Stefano Erbani, këshilltar i Presidentit për çështjet e administrimit të drejtësisë.
Gjatë këtyre takimeve është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërinstitucional, duke thelluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë shpreh mirënjohjen për mikpritjen dhe gatishmërinë për të ndarë përvojat dhe praktikat më të mira, duke marrë në konsideratë afrimitetin dhe ngjashmërinë mes dy sistemeve tona kushtetuese dhe juridike, si dhe aspektet kulturore të ndërlidhura.
/rtsh.al/