RTSH 24 Live

Ekonomi

Marrëveshja me Bankën Evropiane të Investimeve, Hasani: Tirana po rritet si një qendër ekonomike rajonale

7 orë para

Marrëveshja me Bankën Evropiane të Investimeve, Hasani: Tirana po rritet si një qendër ekonomike rajonale

Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë nënshkruar të premten një marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e financave të gjelbra, si dhe për të mbështetur rritjen ekonomike në Shqipëri.

Lidhur me këtë marrëveshje, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nëpërmjet një postimi në platformën X, e ka quajtur këtë marrëveshje “një moment historik për rritjen e shpejtë ekonomike të Shqipërisë dhe progresin drejt integrimit në BE.”

Hasani, ndër të tjera, shprehet se Tirana është në rrugën e duhur për t’u bërë një qendër kryesore ekonomike rajonale.

“Marrëveshja e Vendit Pritës e nënshkruar sot mes Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) është një hap i rëndësishëm që ndikon në zhvillimin e shpejtë ekonomik të Shqipërisë dhe rrugën e saj drejt integrimit në BE! Mirënjohës ndaj kontributit të vazhdueshëm të BEI, e cila ka mbështetur Shqipërinë që nga fillimi! Financimi në rritje dhe ekspertiza do të ndihmojnë në zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së, si dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor! Tirana, e vendosur të rritet si një qendër ekonomike rajonale”, shkruan Hasani në rrjetet sociale.

/rtsh.al/