Kryeministri Edi Rama ka njoftuar dy zhvillime të rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë gjatë një mbledhje të zhvilluar së fundmi.
E para, është finalizimi i projektligjit për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, një projekt i mbështetur nga “Cassa Depositi e Prestiti” e Italisë. Rama theksoi se ky projekt ka për qëllim të ofrojë një motor zhvillimi për Shqipërinë, duke krijuar një strukturë të fuqishme financimi dhe menaxhimi, e cila do të drejtohet nga një ekip shqiptaro-italian për të garantuar qeverisje të pavarur dhe profesionale.
“Kemi mbaruar një mbledhje për dy çështje të zhvillimit. E para e finalizim i projektligjit për mbi Bankën Shqiptare të Zhvillimit. Falë bashkëpunimit me prestigjiozen “Cassa Depositi e Prestiti” të Italisë, një institucion financiar që bën pjesë në gjerdanin e ekselencave italiane, jemi gati t’ia shtojmë edhe Shqipërisë motorin e zhvillimit në këtë stad të ri të vendit. Projekti do të hidhet së shpejti për konsultim publik dhe banka do të menaxhohet nga një super skuadër shqiptaro-italiane dhe do të asistohet nga afër nga partneret e “Cassa Depositi e Prestiti” për të garantuar një qeverisje të pavarur, profesionale dhe të suksesshme të saj”, tha Rama.
Gjithashtu, Rama shpalli miratimin e një linje financimi prej 250 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me fokus në sektorin e bujqësisë përmes kredive të buta. Ky fond do të mbështesë agro-përpunimin, serat, agro-turizmin dhe teknologjinë, duke ofruar mundësi të reja për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare.
“E dyta Banka e Shqipërisë sapo ka miratuara një linjë të re financimi për ndërmarrjet e vogla e të mes me fokus në bujqësi, 250 mln euro. Kemi diskutuar që të mbështesim nga qeveria këtë financim edhe me një garanci sovrane. Ky është volumi më i madh i vënë ndonjëherë në mbështetje me kredi të buta të agro-përpunimit, serave, agro-turizmit, teknologjisë dhe me radhë”, përfundoi kryeministri.
Këto dy nisma pritet të kenë një ndikim të ndjeshëm në forcimin e sektorit financiar dhe rritjes së ekonomisë shqiptare.
/rtsh.al/