Specialistë italianë të turizmit, të cilët operojnë në Venecie, kanë zhvilluar një trajnim intensiv me bizneset lokale, menaxherët e hoteleve dhe bujtinave turistike.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte ndarja e përvojave dhe ofrimi i kontributit të tyre për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit në zonë.
"Jemi këtu për të dhënë përvojën tonë 25-vjeçare në sektorin e turizmit në Venecie. Ajo që ne po sjellim sot është edhe inteligjenca artificiale. / Ne këtu shikojmë çfarë ndodhte në Itali disa vite më parë, por ju keni diçka: një ushqim dhe territor të mrekullueshëm. Njerëzit janë mikpritës, por mungon një shërbim më i mirë që të bëjë minimumin e standardit për turizëm internacional. Ne jemi këtu për të dhënë pak nga kultura italiane," shprehen dy specialistë italianë.
Në trajnim morën pjesë mbi 30 subjekte të ndryshme, përfshirë pronarë biznesesh dhe përfaqësues të strukturave turistike, të cilët u angazhuan në diskutime dhe shkëmbim përvojash.
"Gjithmonë trajnimet ndikojnë pozitivisht. E rëndësishme është dëshira për t'i përthithur dhe për t'i zbatuar e deleguar te punonjësit tanë," thotë Gentian Bineri, kryetar i Shoqatës së Hotelierëve në Gjirokastër.
Specialistët italianë siguruan se do të vazhdojnë të mbështesin bizneset lokale në përpjekjet e tyre për zhvillim.
Gazetare: E. Domeri
/rtsh.al/