RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Mosbindjen civile do e vazhdojmë në botë, 1 milion shqiptarë në diasporë do mbeten pa votuar

8 orë para

Berisha: Mosbindjen civile do e vazhdojmë në botë, 1 milion shqiptarë në diasporë do mbeten pa votuar

Kreu demokrat Sali Berisha në një deklaratë për media është shprehur se mosbindja civile do të zhvendoset në çdo vend të botës.

Berisha u bëri thirrje shqiptarëve në diasporë që të ngrihen në protesta para selive të ambasadave për t’i dhënë një “shuplakë” qeverisë, që sipas kreut demokrat- po i penalizon ata për mungesën e pasaportave apo letërnjoftimeve shqiptare.

Berisha theksoi se nuk ka forcë politike që të ndëshkojë dy të tretat e shqiptarëve që nuk kanë letërnjoftimet shqiptare apo pasaportat. Sipas tij, qeveria nuk mund të përjashtojë 1 milionë shqiptarë nga e drejta e votës.

“Pra, ne e bëmë edhe kompromisin, por meqenëse u kërkua dhe në sensin që të bëjmë ndryshime me lëshime reciproke, kjo nuk duhet të jetë fare lëshim se nuk mund të ketë forcë politike që të pranojë të ndëshkojë dy të tretat e shqiptarëve se nuk kanë letërnjoftimet shqiptare apo pasaportat në xhep. Në këtë kontekst, unë ftoj edhe njëherë, në radhë të parë KQZ që të bëjë demarshet zyrtare dhe të shprehet publikisht sepse zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një detyrim madhor kushtetues.

Përndryshe, ne do organizojmë demonstratat më të fuqishme pranë ambasadave të narkoshtetit, por jo vetëm pranë ambasadave. Pra, do të nisë një lëvizje e re e fuqishme e mosbindjes civile, kjo që është në Shqipëri, do vazhdojë në botë.

Nuk mund të pajtohemi kurrë me një frikë dhe absurditet që tregon regjimi ndaj votës së emigracionit. Kjo do të thotë të përjashtohesh të paktën 1 milionë shqiptarë nga e drejta e votës”, deklaroi Berisha.

Kujtojmë se një ditë më parë, Partia Demokratike depozitoi në Kuvend disa amendamente për Kodin Zgjedhor. Në një dalje për mediat, nënkryetari i kësaj force politike, Oerd Bylykbashi u shpreh se nga 4,7 milionë shtetas shqiptarë të renditur në bilancin e gjendjes civile, 3,7 milionë prej tyre kanë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

/rtsh.al/