Partia e Lirisë ka akuzuar qeverinë se ka dështuar me politikat arsimore në vend, ndërsa ka bërë thirrje për një rritje urgjente të financimit dhe një shpërndarje më të mirë të burimeve për sektorin e arsimit.
Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha se, ndonëse qeveria ka premtuar mbështetje për arsimin, ajo ka ulur buxhetin e sektorit për vitin 2025, duke hequr 700 milionë lekë. Për më tepër, Xhixho thekson se shumë shkolla nuk kanë kushte minimale për mësim, duke përfshirë mungesën e ngrohjes gjatë dimrit.
“24 janari, Dita Ndërkombëtare e Arsimit e gjen arsimin në Shqipëri në ditën e tij më të zezë. Rezultateve të dëshpëruara të testeve PISA, që treguan dështimin e qeverisë në politikat arsimore, iu bashkua në këtë fillim viti edhe vlerësimi i UNESCO-s, e cila kërkoi që Shqipëria urgjentisht të përmirësojë financimin për sektorin e arsimit dhe për një shpërndarje më të mirë të burimeve. Qeveria e Edi Ramës jo vetëm që nuk e ka rritur buxhetin e arsimit, por në këtë fillim viti i hoqi 700 milionë lekë, në një kohë kur edhe ato shkolla që janë ende hapur, nuk kanë as ngrohje në ditët e ftohta të dimrit. Edhe pse qeveria përpiqet të fshehë dramën e zbrazjes së shkollave, është fakt se në vetëm pesë vjet, Shqipëria ka humbur 202 shkolla publike. U është vënë çelësi sepse nuk ka as nxënës, as mësues! Në pesë vjet 58 mijë nxënës janë larguar në 5 vite nga Shqipëria! Gjatë vitit që lamë pas, shkollave të vendit u munguan mbi 2 mijë mësues. Rreth gjysma e mësuesve në sistem nuk kanë njohuritë e duhura për të dalë përpara një klase me nxënës”, shkruan Xhixho.
Për Partinë e Lirisë, zgjidhja do të vij nga programi i saj për sistemin arsimor. Xhixho ka prezantuar një plan për rimëkëmbjen e arsimit, që përfshin dyfishimin e pagave të mësuesve, rritjen e investimeve në kërkimin shkencor dhe inovacion, si dhe riformulimin e kurrikulave pa ndikime politike.
“Partia e Lirisë e ka rimëkëmbjen e arsimit një prej pesë prioriteteve të planit të saj. Ne besojmë fort se vetëm duke ringritur arsimin, do të ringremë Shqipërinë. Ne kemi një plan të qartë, miratimin e një ligji për nivelin dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB. Dyfishimin e pagave të mësuesve për të arritur nivelin e mesatares së rajonit. Inovacioni do të financohet mbi mesataren e Bashkimit Europian. Ligjet kryesore të arsimit do të miratohen me shumicë të cilësuar në Kuvend, përfshi strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat dhe politikat arsimore. Mësuesia dhe shkenca do të konsiderohen degë prioritare dhe do të mbështeten financiarisht. Investime prioritare në degët e teknologjisë së informacionit. Arsimi Profesional do të jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit. Do të reformojmë kurrikulat me ekspertë të pavarur, larg çdo ndikimi politik. Do të implementojmë sistemin e kateringut në kopshte dhe shkolla, sipas modelit europian. Sigurimi i detyrueshëm i jetës në çerdhe, kopshte dhe shkolla për çdo fëmijë”, shkruan deputetja.
/rtsh.al/