RTSH 24 Live

Aktualitet

Përkujtohet 181-vjetori i lindjes së babait të kombit, Ismail Qemali

8 orë para

Përkujtohet 181-vjetori i lindjes së babait të kombit, Ismail Qemali

Në Vlorë është përkujtuar me nderime 181-vjetori i lindjes së babait të kombit, Ismail Qemali, figura që i dha pavarësinë Shqipërisë dhe themeloi shtetin shqiptar.

Në varrin monumental të flamurtarit të pavarësisë u vendosën kurora me lule dhe u kryen homazhe nën tingujt e bandës frymore.

Të pranishëm qenë përfaqësues të pushtetit lokal, kryebashkiaku Ermal Dredha, prefekti i qarkut, Plator Nesturi, banorë dhe përfaqësues të Universitetit të Vlorës.

Kryebashkiaku Dredha dhe z. Nesturi e quajtën këtë ditë më shumë se një nderim për Ismail Qemalin.

"Shpresojmë që ne ta justifikojmë me punën tonë, duke nderuar me respekt gjithë atë sakrificë që ka bërë Ismail Qemali bej Vlora dhe të gjithë ata që janë përkushtuar dhe kanë dhënë gjakun e tyre për të ndërtuar një të ardhme më solide për Shqipërinë tonë," deklaroi z. Dredha.

"Nderim për të gjithë patriotët, jo vetëm për Ismail bej Vlorën, që ka qenë themelues i shtetit shqiptar, si dhe për të gjithë njerëzit që kanë kontribuar për të ndërtuar Shqipërinë," tha z. Nesturi.

Ndërkohë 24 Janari përkon edhe me 106-vjetorin e ndarjes nga jeta të shqiptarit të madh Ismail Qemali. Ai ndërroi jetë më 24 janar 1919, në Peruxhë të Italisë.

Trupi i tij prehet në oborrin e Teqesë në Kaninë, mbi Vlorë.

/rtsh.al/