Kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro është paraqitur këtë të enjte (16 janar) në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Duro është dërguar për gjykim nga SPAK nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, së bashku me 4 zyrtarë të tjerë.
SPAK ka gjetur shkelje ligjore nga njësia Administrative Qendër Bilisht, me dhënien e një lejeje në vitin 2015 dhe një autorizimi në vitin 2020 shoqërisë Genci Petrol” sh.p.k., për stacionin e shitjes së karburantit në Devoll. Prej vitit 2015 dhe në vijim, nga dhënia e lejes dhe autorizimit në kundërshtim me ligjin janë realizuar përfitime të padrejta nga kjo shoqëri.
Duro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Licensimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Devoll, Astrit Seferkolli pajisën shoqërinë tregtare me autorizimin për tregtimin e karburanteve.
Dhënia e lejes ishte në kundërshtim me ligjin. Subjekti “Genci Petrol”, sh.p.k. në kohën e dhënies së saj nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar; aktin e kontrollit, lejen e shfrytëzimit për stacionin e karburantit dhe autorizimin për hyrje-daljet në rrugë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, si rrugë interurbane dytësore.
/rtsh.al/