Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës që vepronte nëpërmjet Bullgarisë, Kolumbisë, Kosta Rikës dhe Panamasë është çmontuar nga Europol dhe Garda Civile e Spanjës. Hetimi mbi rrjetin e trafikut të drogës ka nisur në qershor 2022, ku anëtarët e bandës ishin të përfshirë në importimin dhe shpërndarjen e kokainës në vendet e Bashkimit Europian, si dhe në pastrimin e parave të fituara nga ky aktivitet kriminal.
Anëtarët e këtij rrjeti, që përfshinin shtetas nga Shqipëria, Bullgaria, Kolumbia dhe Spanja, organizuan trafikimin e sasisë së madhe të kokainës nga Amerika Latine në Evropë. Dërgesat realizoheshin përmes ngarkesave ajrore dhe kontejnerëve detarë, ndërsa droga kalonte pa u zbuluar, shpesh me ndihmën e punonjësve të korruptuar.
Rolet ishin të ndara në rrjetin e trafikut të drogës. Anëtarët shqiptarë, të cilët ishin me qëndrim në Dubai dhe vepronin si investitorë të rrjetit dhe financonin operacionet për të paguar prodhuesit për dërgesat nga Kolumbia. Shtetasit kolumbianë trajtonin dërgesat nga Kolumbia në Europë, ndërsa shtetas bullgarë, kolumbianë dhe spanjollë mbikëqyrnin marrjen dhe shpërndarjen e mëtejshme të drogës.
Në tetor 2024, autoritetet konfiskuan 4.1 ton kokainë në Panama, me destinacion për në Spanjë. Ky rrjet dyshohet të ketë qenë përgjegjës për konfiskimet e mbi 7 ton kokainë, përfshirë 2 ton të kapura në Spanjë gjatë hetimeve.
Ky operacion ka goditur një rrjet të fuqishëm kriminal që kishte kapacitet për të importuar deri në një ton kokainë në javë, duke e bërë këtë një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut të drogës ndërkombëtar.
Rezultatet e aksionit, të realizuar në tre faza, midis dhjetorit 2024 dhe janarit 2025
- 22 arrestime në Spanjë (shtetas spanjollë dhe kolumbianë);
- 27 bastisje shtëpish në Barcelonë, Kadiz, Madrid, Malaga dhe Valencia;
- Konfiskimet përfshijnë rreth 1 ton kokainë dhe 5 kg 'tusi' (kokainë rozë), 35 automjete, përfshirë 8 makina luksoze (vlera e vlerësuar rreth 2.5 milionë euro), orë luksoze dhe stoli (vlera e vlerësuar rreth 1.5 milionë euro) dhe 6.5 milionë euro cash;
- 48 armë (5 armë të gjata, 5 pistoletë dhe 38 armë të tipit historik);
- 53 llogari bankare të ngrira.
/rtsh.al/