RTSH 24 Live

Sociale

Kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe: S’ka dyfishim çmimi të patentës, por rritje të kontrollit ndaj autoshkollimit fiktiv  

16/02/2023

Kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe: S’ka dyfishim çmimi të patentës, por rritje të kontrollit ndaj autoshkollimit fiktiv  

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe ka bërë të ditur se marrëveshja e nënshkruar së fundmi me Drejtorinë e Përgjitshme të Tatimeve dhe Autoshkollave nuk synon rritjen e çmimit të marrjes së lejes së drejtimit, por të luftojë spekulimet në tregun e autoshkollimit për t’i dhënë  fund fiktivitetit dhe evazionit.

Në një pronocim për Rtsh.al, Gonxhe shprehet se nevojitet që autoshkollimi të kryhet në mënyrë serioze, si faza e teorisë dhe mësimi praktik në rrugë.

Sipas tij, kush ka bërë kurse patente nën kosto, ka gënjyer veten dhe ligjin. Ndërsa shton se drejtimi i gabuar i mjetit, aksidentet dhe fatalitetet rrugore i kanë rrënjët të një kurs fiktiv ose gjysmak.

Thelbi i tërë gjësë është: Merr vlerë Autoshkollimi, luftohen spekulimet në tregun e autoshkollimit, duke synuar t’i jepet fund fiktivitetit dhe evazionit! Siguria Rrugore kërkon Autoshkollim serioz, kryerjen e plotë të klasës së teorisë dhe mësimit praktik në rrugë! Këto dy procese nuk mund të garantohen pa kryerjen e seancave përkatëse të cilat kanë një kosto fiskale të domosdoshme. Nuk ka dyfishim çmimi patente, por kontroll për zbatimin e plotë të programit mësimor për Leje Drejtimi, kurs të vërtetë dhe të provuar. Kush ka bërë kurse patente nën kosto, ka gënjyer veten dhe ligjin. Drejtimi i gabuar i mjetit, aksidentet dhe fatalitetet rrugore i kanë rrënjët të një kurs fiktiv ose gjysmak!”, shprehet Gonxhe.

Një ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjitshme e Tatimeve dhe Autoshkollave nënshkruan marrëveshjen për të ndërtuar një sistem kontrolli në sektorin e shkollimit për drejtues mjeti.

Bazuar edhe në Udhëzimin e Ministrisë së Energjisë dhe Instrastrukturës, marrëveshja thekson se “lind detyrimi për ushtrimin e plotë, pa fiktivitet dhe pa evazion, pa ju shmangur procesit mësimor e didaktik, duke garantuar standardin profesional të formimit”.

/rtsh.al/