RTSH 24 Live

Kosovë

Kosovë- Mbyllet procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare

09/02/2025

Kosovë- Mbyllet procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare

Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Deri në orën 17:00, dalja në zgjedhje ishte 38.9 për qind në nivel vendi.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime ishte 1 milion e 970 mijë e 944 votues, derisa për herë të parë votën e tyre kanë mundur ta hedhin 125 mijë e 852 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka informuar se sipas të dhënave paraprake, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet paralamentare 2025 ka qenë mbi 40%.

“Duke u mbështetur në të dhëna preliminare nga 2297 vendvotime apo nga 90,68% e tyre, nga gjithsej 2533 sa janë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në shkurt 2025 kanë votuar 40.04% apo 789,172 votues nga 1,970,944 nga lista me të drejtë vote”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka krahasuar këto shifra me ato të vitit 2021, kur kishin votuar rreth 46,90%. Ai ka njoftuar se KQZ do të ketë sërish konferencë për media, por për orën ka thënë se do të njoftojnë më vonë. 

Mijëra vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve mbi 100 të dërguar nga Bashkimi Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës ndoqën procesin në mbi 940 qendra votimi që qëndruan të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00.

Rreth 40 për qind e rreth dy milion votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre në këto zgjedhje që pasuan një fushatë të rreptë të partive politike, të cilat për një muaj me radhë u zotuan për rritje pagash e pensionesh, përmirësim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe për të luftuar papunësinë

Zgjedhjet e sotme, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, u panë si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe u vu në përpjekje për një mandat tjetër.

Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.

Votimet e sotme do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Kosovën në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës.

/rtsh.al/