RTSH 24 Live

Kosovë

Kosova feston sot 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

17/02/2025

Kosova feston sot 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

Kosova shënon sot 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Për të festuar këtë datë të shënuar për Kosovën, institucionet e vendit kanë përgatitur aktivitete të ndryshme.

Gjatë kësaj të hëne, krerët e shtetit do të bëjnë ngritjen e flamurit shtetëror; do të kryhet nderimi i Monumentit të të Pagjeturve dhe Memorialit të Fëmijëve të Vrarë; homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova e po ashtu edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt të 2008-ës, ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua unanimisht nga 107 deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit, ndërsa procedura e votimit u bojkotua nga njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe.

Deri tani, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 vende.

Agjenda e aktiviteteve për shënimin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës:

Ora 8:00 – Mbahet mbledhja festive e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rastin e shtatëmbëdhjetë (17) vjetorit të Pavarësisë.

Ora 8:20 – Ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës

Ora 8:30 - Nderimi i Monumentit të të Pagjeturve dhe Memorialit të Fëmijëve të Vrarë

Ora 9:00 – Homazhe te varri i ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova

Ora 9:10 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi

10:15 - Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

11:45 – Nderimi i Monumentit të “Heroinatit”.

 12:00 – Parada e Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës

 16:00-16:20 - Konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, amfiteatri i Institutit të Historisë.

Pavarësia e Kosovës, uron politika shqiptare

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social Facebook me rastin e pavarësisë së Kosovës.

“MIRËMËNGJES KOSOVË

Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë”, shkruan Rama.

Begaj: Nderim mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë

Edhe kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj uroi Kosovën për Ditën e Pavarësisë. Begaj shprehu nderimin për mijëra burra e gra që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë e vendit të tyre.

“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë!

Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje!

Gëzuar!”, shkruan Begaj në Facebook.

Meta: PL, e vendosur për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës

Në ditën e pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shprehur vendosmërinë e partisë së tij politike për të mbrojtur pavarësinë e integritetin territorial të Kosovës, si dhe mbështetjen për anëtarësimin e saj në gjithë organizatat rajonale dhe në OKB.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë e dashur!

Forcohesh çdo ditë si faktor i rëndësishëm paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon, shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe garantimit të votës së lirë.

Partia e Lirisë është e vendosur për të mbrojtur pavarësinë e integritetin territorial të Kosovës, si dhe të mbështesë procesin e njohjeve dhe anëtarësimin e saj në gjithë organizatat rajonale dhe në OKB.

Urimet më të përzemërta vëllazërore”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.

/rtsh.al/