RTSH 24 Live

Muzikë

Këngëtarja e njohur, Elhaida Dani emërohet drejtore artistike e Festivalit të 63-të në RTSH

11/06/2024

Këngëtarja e njohur, Elhaida Dani emërohet drejtore artistike e Festivalit të 63-të në RTSH

Elhaida Dani, një nga këngëtaret më të suksesshme të muzikës së lehtë shqiptare, rikthehet në skenën e festivalit të RTSH këtë vit, por jo si konkurrente.

Elhaida do të jetë drejtoresha artistike e Festivalit 63 të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, një bashkëpunim që pritet të zgjasë më shumë se një vit.

Prezantimi i saj në këtë post shumë të rëndësishëm për eventin muzikor, që organizohet çdo fund vit në RTSH, u bë nga drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza.

“Ardhja e Elhaidës është një lajm i gëzuar për mua, stafin dhe mbarë opionionin publik, sepse do të jetë një vlerë e shtuar për festivalin, duke pasur parasysh karrirën e saj të jashtëzakonshme duke nisur që nga fitoret e saj në shumë kompeticione muzikore. Me të do të punpojë edhe Bojken Lako, që ishte drejtor i Festivalit të 62-së, i cili ka bërë një nga festivalet më mira që që ka bërë RTSH”, tha z. Peza.

Artistja Elhaida Dani, fituese e shumë kompeticioneve muzikore si brenda ashtu edhe jashtë vendit u shpreh entuziaste për detyrën e re. Ajo tha se do të përcjellë të gjithë përvojën e saj personale dhe profesionale në festivalin e 63 të këngës, për të cilin tashmë ka nisur puna.

“Është një kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe. Kam lindur dhe jam rritur në Fetstivalin e RTSH-së, dhe falë këti festivali kam shkelur edhe në skenën e Eurovizonit. E di se çfarë do të thotë për artistët shqiptar ky Festival. E di rëndësinë. Do të japë më të mirën time në këtë Festival, por edhe në ato të ardhshmet. Është mundësi e artë për ti treguar edhe Shqipërisë vlerat më të mira. Po synojmë të zgjedhim një skuadër sa më profesioniste, sa më serioze, për të bërë një punë shumë të madhe për këtë Festival dhe ato të ardhshme”, komentoi Dani.

Elhaida Dani ka një karrierë të gjatë dhe të pasur muzikore. Falë zërit të saj të magjishëm, ajo ka ka rrëmbyer shumë çmimeve të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 2009, Elhaida fitoi talent show-in ‘Star Akademi’ dhe në vitin 2012 fitoi çmimin e parë në Top Fest. Edhe skena e Festivalit të Këngës në RTSH nuk është e panjohur për artisten, e cila ka konkuruar në vitin 2011 me këngën ‘Mijëra vjet’, ku rrëmbeu çmimin ‘Melodia më e mirë’, ndërsa në vitin 2014 ajo u shpall fituese e festivalit dhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong 2015 me këngën “I'm Alive”. 

Karriera e artistes me orgjinë nga Shkodra, do të shënonte kulmin me pjesëmarrjen e saj në ‘The Voice of Italy’ në vitin 2013, ku theu të gjithë pritshmëritë, duke u shpallur fituese mes dhjetëra zërave më të mirë italianë.

Ajo arriti të rrëmbente jo vetëm zemrën e publikut shqiptar, por edhe zemrat e atij italian. Pas këtij suksesi të merituar, Elhaidës iu hapën dyert e skenave ndërkombëtare falë edhe bashkëpunimit me këngëtarin dhe kompozitorin Rikardo Kocante, i cili ishte mentori i saj në “The Voice of Italy’.

Elhaida Dani mori rolin e rëndësishëm të Esmeraldës në muzikalin “Notre Dame de Paris”, i cili u shfaq në skenat më prestigjoze të botës dhe ku u prit me duartrokitje të shumta. Gjatë karrierës së saj muzikore, Elhaida ka publikuar dhjetëra këngë që janë mirëpritur nga publiku.

/rtsh/