RTSH 24 Live

Aktualitet

Këmbësorët burim aksidenti, 897 gjoba për qytetarët në 5 muajt e parë të vitit

06/07/2024

Këmbësorët burim aksidenti, 897 gjoba për qytetarët në 5 muajt e parë të vitit

Numri i personave të vdekur dhe të plagosur për periudhën janar-maj është 856 nga të cilat 106 për shkak të sjelljes së këmbësorëve.

Në shifrat për këmbësorët përfshihen edhe biçikletat dhe monopatet që po ashtu u nënshtrohen të njëjtave rregulla të qarkullimit.

Nga ana tjetër, Policia Rrugore ka vendosur 13 mijë e 813 masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve që nuk kanë respektuar vendkalimin për këmbësorët.

Anxhelina Bregu, Inspektore e Trafikut Urban ka treguar për RTSH-në se nga kush kryhen më së shumti këto shkelje.

Nga të gjitha grupmoshat haset si shkelje, por sa i përket monopatinave dhe drejtuesve të biçikletave, hasim më shumë mosha të reja. Policia Rrugore më shumë fokusin më shumë e ka shtuar në rrugët interurbane pasi aty rrezikshmëria është më e lartë ku kemi hasur këmbësorë të cilët kanë kapërcyer trafikndarësen ndërkohë që vendkalimin e kanë pak metra më poshtë", tha Bregu.

Bregu ka shpjeguar edhe cilat janë pikat më të rrezikshme në Tiranë dhe masat administrative që merren për çdo shkelje që lidhet me vijat e bardha.  

Në kryeqytet kemi “Rruga e Kavajës” të cilët ne e konsiderojmë si “njolla e zezë”, kemi rrugën e Kombinatit, atë të Elbasanit që të nxjerr tek rrethi i Arben Brocit në dalje të Saukut. Masa për sjelljen e këmbësorëve që nuk respektojnë vendkalimet e dedikuara është 1 mijë lekë. Ndaj drejtuesve të mjeteve që nuk respektojnë vendkalimet e këmbësorëve, masa varion nga 1 mijë deri në 2 mijë lekë sipas historikut që ky drejtues mjeti ka", tha ajo.

Gjatë periudhës janar- maj 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është ulur ne 10,1 për 100 aksidente, nga 16,9 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/rtsh.al/