RTSH 24 Live

Aktualitet

Përmbytje në Vlorë, Kryetari Dredha kërkon ndihmën e ushtrisë: Janë evakuuar 22 familje

4 orë para

Përmbytje në Vlorë, Kryetari Dredha kërkon ndihmën e ushtrisë: Janë evakuuar 22 familje

Për shkak të reshjeve me intensitet të lartë, qyteti bregdetar i Vlorës gjendet nën pushtetin e ujit, ku si asnjëherë më parë ka pasur përmbytje masive orët e fundit.

Nga pamjet e siguruara nga RTSH duken rrugët që janë të mbuluara nga uji i cili ka hyrë edhe në disa biznese e banesa duke shkaktuar përmbytje dhe dëme.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës i cili ndodhet në teren, u shpreh se , “jemi në bashkërendim me institucionet qendrore. Jemi duke u koordinuar me Ministrinë e Mbrojtjes, me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile sepse realisht është diçka përtej angazhimit dhe mundësive tona. Jemi duke bërë gjithçka për të menaxhuar këtë situatë por prurjet e reshjeve janë të mëdha dhe pothuajse të pamundura për menaxhuar”.

Gjithashtu për shkak të gjendjes së rënduar në disa lagje, Dredha tha se 22 familje janë evakuuar pasi banesat e tyre u përmbytën nga uji, ndërsa janë shpëtuar 3 persona të cilët kanë qenë të bllokuar.

“Për të ardhur në ndihmë të banorëve do të vendosim në dispozicion dhe konviktet e tek shkolla Mjekësore. Ndaj i bëj thirrje qytetarëve që të jenë vigjilent dhe të kontaktojnë sa më parë në numrat e emergjencës që të reagojmë në kohë dhe ti ndihmojmë .

 

 

/rtsh.al/