RTSH 24 Live

Aktualitet

Dorëheqja e anëtares së Kushtetueses, Kuvendi shpall vakancën, publikon kriteret për kandidatët

2 orë para

Dorëheqja e anëtares së Kushtetueses, Kuvendi shpall vakancën, publikon kriteret për kandidatët

Kuvendi, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëri të ditur të premten se ka hapur procedurën e aplikimit për vendin vakant për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese. Vendim për shpalljen e vendit vakant vjen pas dorëheqjes së gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska.

Në njoftimin e shpalljes së vakancës thuhet se Kuvendi i Shqipërisë, pasi u njoh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për mbarimin përpara afatit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant, mandat plotësues, për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit përpara afatit të mandatit të gjyqtares Elsa Toska, i cili përfundon më 2028-ën.

Kriteret

Bashkë me njoftimin për vendin vakant, Kuyvendi ka publikuar edhe kriteret që duhet të plotësojë kandidati. Në vendim saktësohet se, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush disa kushte si: të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit; të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;  të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi; të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

“Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër duhet të plotësojë edhe këto kritere: të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike; të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;  të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.”, thuhet në njoftim.

Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:  vjetërsisë në profesion; përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë; kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës; treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike; ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës; informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.

/rtsh.al/