RTSH 24 Live

Ekonomi

Investimet e huaja, Turqia dhe Italia kryesojnë me 110 milionë euro

26/06/2024

Investimet e huaja, Turqia dhe Italia kryesojnë me 110 milionë euro

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Turqia ishte investitori kryesor i huaj në Shqipëri për tremujorin e parë të këtij viti. Investimet turke shënuan vlerën e 69 milionë eurove, me një rritje prej 116% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Stoku i investimeve turke në fund të tremujorit të parë ka arritur në 1.06 miliardë euro, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë.

Ndërmarrjet turke vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në sektorin financiar, atë energjetik, në industrinë nxjerrëse, etj.

Italia, një tjetër investor historik në Shqipëri, u rendit e dyta për tremujorin e parë të këtij viti, me investime të reja prej 41 milionë eurosh.

Italia ngelet një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri. Stoku i investimeve italiane ka arritur në 1.53 miliardë euro, 26% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Investimet italiane janë të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve.

/ rtsh.al /