RTSH 24 Live

Botë

Hetimet për aeroplanin Jeju Air – “Kutia e zezë” ndaloi regjistrimin katër minuta para rrëzimit

11/01/2025

Hetimet për aeroplanin Jeju Air – “Kutia e zezë” ndaloi regjistrimin katër minuta para rrëzimit

Të dhënat e fluturimit dhe regjistruesit e zërit në kabinën e aeroplanit të Jeju Air që u rrëzua më 29 dhjetor ndaluan regjistrimin rreth katër minuta përpara se aeroplani të godiste një strukturë betoni në aeroportin Muan të Koresë së Jugut, ka njoftuar ministria e transportit atje.

Regjistruesi i zërit fillimisht u analizua në Korenë e Jugut dhe kur u zbulua se të dhënat mungonin, u dërgua në një laborator të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA-së. Tashmë autoritetet që hetojnë katastrofën që vrau 179 njerëz, më e keqja në tokën e Koresë së Jugut, po planifikojnë të analizojnë se çfarë i shkaktoi “kutitë e zeza” të ndalonin regjistrimin.

Jeju Air 7C2216, i cili u nis nga kryeqyteti i Tajlandës Bangkok për në Muan në Korenë jugperëndimore,  shpërtheu në flakë pasi goditi një mur betoni, shkruan Reuters. Pilotët i thanë kontrollit të trafikut ajror se aeroplani kishte pësuar një goditje nga zogjtë, gjë që thuhet të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit dhe deklaruan emergjencë rreth katër minuta para se të përplasej.

Një ish-hetues aksidentesh në ministrinë e transportit, është shprehur se zbulimi i të dhënave të munguara nga minutat vendimtare ishte befasues dhe sugjeron që e gjithë energjia, përfshirë rezervën, mund të jetë ndërprerë, gjë që është e rrallë. Disa anëtarë të familjeve të viktimave kanë thënë se ministria nuk duhet të marrë drejtimin në hetim, por se duhet të përfshijë ekspertë të pavarur, duke përfshirë ata të rekomanduar nga familjet.

/rtsh.al/