Punimet për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës Shirokë–Zogaj, një investim i qeverisë shqiptare, ku përfituese është Bashkia Shkodër, po ecin me ritme të shpejta, duke shënuar një hap të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së zonës.
Për ata të cilët kanë investuar në bujtinat dhe restorantet e zonës, si dhe banorët e Zogajt, ky është një investim i shumëpritur.
Të tillë e konsiderojnë dhe punonjësit të cilët vijnë çdo ditë nga Shkodra për të punuar në restorantet lokale. Ata tregojnë se kanë hasur shumë vështirësi për shkak të infrastrukturës, por tashmë janë optimistë për zhvillimin e zonës.
"Rruga është zhvillim në çdo vend të botës, por mbi të tëra unë shpresoj që do të kemi një bum turistësh, një lidhje me Malin e Zi," thotë sipërmarrësi Milan Metushaj.
Puna ka filluar me intensitet të lartë në ditët e para të janarit, ku deri tani janë hapur 4,1 kilometrat e parë të rrugës.
Po ashtu ka përfunduar ndërtimi i bajpasit në qendër të fshatit Zogaj, një segment kyç për lehtësimin e qarkullimit dhe aksesit në zonë.
Me përfundimin e këtij investimi, Zogaj do të marrë vëmendje jo vetëm si një fshat turistik me peizazh piktoresk dhe më i aksesueshëm, por edhe në një korridor të rëndësishëm turistik, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe rritjen e vizitorëve.
/rtsh.al/