Në Durrës prindërit e shkollës “Eftali Koçi” hezitojnë të çojnë fëmijët në mësim. Meningjiti që preku ditë më parë një nga nxënësit e kësaj shkolle, ka vënë në alarm prindërit. Ata hezitojnë ti çojnë fëmijët e tyre në shkollë. Ndërkohë që kërkojnë dezinfektimin e të gjitha mjediseve të institucionit arsimor dhe jo vetëm të klasës ku ka qenë nxënësi i prekur.
“Kërkoj dezinfektimin e të gjithë shkollës, jo vetëm të klasës që është bërë. U bëra gati 2-3 ditë që nuk e sjell fëmijën në shkollë”, u shpreh një prind.
“Kërkojmë nga organet kompetente për të bërë dezinfektimin e shkollës dhe kur të jetë gati shkolla do të sjellim fëmijët në shkollë”, u shpreh një prind tjetër.
“Unë kam djalin në këtë shkollë dhe është shumë problem”, tha një prind tjetër.
Prej ditësh është përhapur një valë paniku nga sëmundja e meningjitit, pasi edhe shumë prindër që kanë fëmijët në shkolla të tjera të qytetit kërkojnë mbylljen e mësimit dhe zhvillimin e tij online.
Lidhur me këtë shqetësim nga Njësia vendore e kujdesit shëndetësor ende nuk ka asnjë prononcim ky institucion është hermetike në lidhje me sqarimin e situatës teksa jashtë kamerave ka thënë se për këtë çështje do flasë Instituti i Shëndetit Publik.
Kujtojmë se javën e kaluar një nxënës i shkollës ““Eftali Koçi”” u prek nga meningjiti bakterial dhe gjendet i shtruar në Tiranë, në gjendje të qëndrueshme . Ndërsa kujtojmë se po në Durrës në dhjetor të vitit 2024 një 17 vjeçare humbi jetën nga meningjiti akut.
/rtsh.al/