RTSH 24 Live

Politikë

Tabaku në "Zërin e Diasporës": Vota nga jashtë, mundësi për rotacionin politik

18/02/2025

Tabaku në "Zërin e Diasporës": Vota nga jashtë, mundësi për rotacionin politik

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku vlerëson se diaspora është një faktor kyç për opozitën për rotacionin politik, si dhe ndryshimet në Shqipëri. Në emisionin “Zëri i diasporës”, në RTSH-24, të drejtuar nga Edlira Prendi, deputetja theksoi se veç votës, me shumë rëndësi janë edhe thirrjet që ata i bëjnë familjarëve këtu për të votuar.

“Duke marrë shifrat, diaspora renditet një ndër qarqet më të mëdha në Shqipëri. Ata kanë në dorë një instrument shumë të fortë për rotacionin për të sjellë ndryshimin. Me shumë rëndësi janë edhe thirrjet që ata u bëjnë familjarëve të tyre. Diaspora ka kërkesa që lidhen me Atdheun, me gjuhën, arsimin, pensionet e prindërve, ekonominë apo edhe me largimin e të rinjve”, tha zonja Tabaku.

Ndalur tek ndryshimet në Kodin zgjedhor, deputetja theksoi se propozimi i PD-së erdhi si domosdoshmëri pasi ka kërkesë shumë të madhe për të votuar, por ka probleme me dokumentacionin.

Tabaku nënvizoi se sot, kjo diasporë e gjerë është edhe për faj të keqqeverisjes deri më tani.

Është hera e parë që po provohet, dhe normale që ka vonesa dhe ngarkesa. Nuk kemi ende votimin e plotë të diasporës. Ka ende shumë qytetarë që nuk u pranohet regjistrimi. Problemet që lindin vijnë si pasojë e dokumentacionit, pasi dëshira është shumë e madhe për të votuar. Ata janë qytetarë që janë larguar prej kësaj qeverisje. Sot kemi diasporën më të madhe në botë, si rezultat i kësaj qeverisjeje. Shtetet ku kemi numrin më ta madh të emigrantëve janë Italia dhe Greqia. Ata kanë opsionin që edhe të vijnë të votojnë fizikisht, ndaj besoj që numri do jetë në rritje. Kam pasur takime në SHBA që na jepnin mbështetje. Ata i dinë problematikat në vendin tonë. Ata interesohen për të ardhmen, pra çfarë do të bëhet ndryshe, çfarë sigurohet. I gjithë diskutimi ishte tek e ardhmja. I kemi dhënë të drejtën diasporës për të votuar. Insistuam për barazinë para ligjit, vlerën që ka vota por edhe për faktin që çdo shqiptar duhet të votojë",  tha deputetja e PD-së.

Tabaku theksoi se përpos problematikave brenda partisë, Partia Demokratike nuk e ka cënuar kurrë standartin e zgjedhjeve.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan votat të hënën (17 shkurt) për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që do të lehtësojnë procesin e votimit të diasporës në zgjedhjet e 11 Majit.

/rtsh.al/