RTSH 24 Live

Aktualitet

Lezhë, aksion për heqjen e kabllove ajrorë

18/02/2025

Lezhë, aksion për heqjen e kabllove ajrorë

Të kthyer si rrjet "merimangash" dhe rrezik për jetën e qytetarëve, problematika e kabllove ajror në Lezhë do të marrë fund. Prej ditës së hënë grupi i punës i ngritur nga Bashkia Lezhë, ku bëjnë pjesë Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Policia Bashkiake kanë nisur aksionin në terren, për këputjen e çdo linje kabllore ajrore në qytet.

Për të realizuar këtë objektiv, Bashkia Lezhë ka gjetur dhe bashkëpunimin e kompanive të shpërndarjes së internetit të cilëve ju është dhënë leja dhe po ndërtojnë linjat nëntokësore për vendosjen e kabllove në të gjithë qytetin.

Kemi filluar me procedurën, kryesisht jemi marrë me bulevardin “Gjergj Fishta” që do ti jap një natyrë krejt tjetër këtij qyteti ku shpesh kanë qenë ankesat e shumta. Kemi gjetur bashkëpunimin e kompanive të internetit në mënyrë që të mos ndërpresim shërbimet, gjithashtu kemi dhe bashkëpunimin e OSHE-së”, u shpreh Fatjon Zefi, N/kryetar i Bashkësisë Lezhë.

Aksioni i nisur për heqjen e kabllove ajror në qytetin e Lezhës do të përfundojë brenda muajit mars, e më pas do të shtrihet edhe në njësitë administrative, duke i dhënë në këtë mënyrë zgjidhje një problematike shumë vjeçare.

/rtsh.al/