Policia e Lezhës bëri të ditur se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Terni", duke vënë në pranga Serxhio Nikollin, 25- vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimi. Ai akuzohet nga autoritetet italiane, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë operacionit të koduar "Terni”, kanë kapur në qytetin e Lezhës dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimin, shtetasin S. N., 25 vjeç, banues në Shënkoll. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma pasi akuzohet nga Gjykata e Ternit, Itali, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.
/rtsh.al/