Prej 17 vitesh, Landi Sadiraj nga Kanina e Vlorës edhe pse me mungesë të shikimit, arrin të luajë mjeshtërisht muzikë duke punuar si dixhej. Prej kohësh, shtëpinë e tij e ka kthyer në një studio të vogël muzikore.
Për Landin, muzika nuk është thjesht pasioni i tij, por një mënyrë për të fituar të ardhura të mjaftueshme për veten dhe familjen e tij.
"Kur isha i vogël dëgjoja shumë muzikë. Kisha shokë që punonin dixhej dhe me përkrahjen e tyre u bërë dhe unë. Po punoj që të bëj një studio më të zgjeruar, pasi bëj dhe regjistrim produksionesh, regjistroj grupet labe. Më duhet një studio më moderne. Kam pasur shumë mbështetje", tha ai.
I riu vlonjat është një shembull për të gjithë ata që u mungon forca për të ecur përpara për shkak të pengesave fizike.
Sot ai gëzon respektin dhe mbështetjen e qytetarëve vlonjatë që e ndjekin gjatë performancave të tij.
Gazetare: A. Hysaj
/rtsh.al/