RTSH 24 Live

Sociale

Informalizimi i tregut të punës dhe emigrimi vështirësojnë përfitimin e pensionit të plotë

20/02/2025

Informalizimi i tregut të punës dhe emigrimi vështirësojnë përfitimin e pensionit të plotë

Për të përfituar një pension të plotë, një individi në vendin tonë i duhet të ketë jo më pak se 35 vite sigurimi. Sa i përket pensionit të pjesshëm duhen të paktën 15 vjet.

Plotësimi i masës kontributive përbën sot një nga sfidat kryesore të skemës së sigurimeve shoqërore prej disa vitesh.

"Ajo që vë re është fakti që ne përditë e më shumë po lidhim pensione me periudha minimale kontributive, me 15 vite, çka të jep të kuptosh që gjithë periudha nga viti 1994 e më pas njerëzit kanë punuar në informalitet. Është një numër relativisht i lartë," tregon Violeta Staka, specialiste në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër.

Informalizimi i tregut të punës është një nga shkaktarët e tij.

"Përpara reformimit kishte humbje të vjetërsisë. Nëse njerëzit kishin mbi 35 vjet që i duheshin, ato nuk llogariteshin në përfitim, ndërsa me rregullimet e vitit 2015 është njohur dhe ka ndikuar në masën e përfitimit çdo vit e muaj i periudhës kontributive," thotë znj. Staka.

Skema aktuale e sigurimeve shoqërore pavarësisht avantazheve që krijon dikton edhe nevojën për ndryshime.

"Diskutohen sot përditë e më shumë edhe për shkak të informalitetit, emigrimit, që çojnë në një mosmbulim të mirë të përfituesve nga masa kontributive që derdhet," shprehet specialistja.

Vitet e fundit ka ardhur në rritje ndërgjegjësimi i individëve për të derdhur kontribute vullnetare me qëllim plotësimin e viteve të punës.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/