Aksionet e vazhdueshme të policisë bashkiake në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, kanë bërë që pjesa më e madhe e shitësve ambulantë në Shkodër, të disiplinohen. Me ndërtimin e tregut të ri të Rusit, shitësit ambulantë janë sistemuar në vendet përkatëse, megjithatë sipas kreut të AKU Shkodër, vazhdon të jetë një sfidë përderisa ende trotuaret nuk janë liruar siç duhet.
“Në tregun e Rusit herë pas here ka probleme me disiplinimin e tregtarëve, jemi munduar të jemi në monitorim, ti ndërgjegjësojmë por nuk kanë munguar edhe masat ndëshkuese nga policia bashkiake”, u shpreh Ramir Haderi, Drejtor i AKU-së Shkodër.
Një plan tjetër masash, në funksion të gjurmueshmërisë dhe lëvizshmërisë së kafshëve të gjalla dhe të mishit të tyre për konsum, AKU Shkodër bashkë me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë, janë duke monitoruar tregjet e kafshëve të gjalla dhe fermat.
“Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë po kryejmë kontrolle në ferma, në tregjet e kafshëve të gjalla dhe për momentin në qarkun Shkodër nuk kemi pasur asnjë problem që mund të na cenojnë”, u shpreh Haderi.
Ndërkohë AKU, qarku Shkodër vijon kontrollet në terren për të monitoruar marketet, restorantet dhe stabilimentet e mishit e bulmetit.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/