Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, në Universitetin “Fan S. Noli” u organizua një tryezë e rrumbullakët me fokus sfidat dhe zhvillimet e gjuhës shqipe në ditët e sotme.
Në këtë aktivitet morën pjesë mësues të gjuhës shqipe, studentë të filologjisë, si dhe studiues të fushës, të cilët ndanë mendimet dhe shqetësimet e tyre mbi ndikimet e huaja, ndryshimet në përdorimin e gjuhës dhe nevojën për ruajtjen e standardit.
“Në radhë të parë është përdorimi me tepri i fjalëve të huaja të panevojshme dhe e dyta ndërtimi i gjuhëve të huaja edhe në ndërtime sintaksore. E treta, qoftë në shkrime apo ligjërime nuk zbatohen normat e drejtshkrimit”, tha studiuesi i gjuhës shqipe, Ali Jashari.
“Sfidat e gjuhës shqipe lidhen me përdorimin e Fjalorit të madh. Mendoj që nëse vitet në përdorim ky fjalor, do të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë përdoruesit. Është një mundësi e mirë që nëse duam ta ruajmë gjuhën shqipe, duhet të dimë si ta përdorim atë”, tha Olger Brame, studiues i gjuhës shqipe.
Ky aktivitet shërbeu si një platformë e rëndësishme për të reflektuar mbi sfidat gjuhësore dhe për të ndërgjegjësuar të rinjtë mbi rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe në një realitet gjithnjë e më të ndërlidhur globalisht.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/