RTSH 24 Live

Sociale

Të mësosh një zanat, COD aktivitet me nxënësit e shkollës në Lazarat

20/02/2025

Të mësosh një zanat, COD aktivitet me nxënësit e shkollës në Lazarat

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me shkollën e mesme të bashkuar "Muhamet Gjollesha" në Lazarat, organizoi një aktivitet për orët e hapura dhe rëndësinë e orientimit profesional për nxënësit, në studion e ikonografistit Drini Difo.

"Në kuadër të orientimit të karrierës u njohën me pjesën e punimit të drurit, që është vlerë e shtuar. Në krahinën e tyre ekziston një punishte e tillë dhe e kishim shumë të aksesueshme," thotë koordinatori Andi Matushi.

Këto eksperienca janë mjaft interesante dhe të vyera, siç theksojnë nxënësit, dhe i ndihmojnë të kuptojmë më mirë profesionet dhe pasionet e tyre.

"Është hera e parë që vij në një marangozi të tillë. Më duket diçka shumë interesante dhe e bukur," thotë një nxënëse.

"Aktiviteti sot ishte menduar për nxënës nga klasa VI deri te klasa IX. Ne po mundohemi të ndezim atë shkëndijën që ata të fillojnë të mendojnë seriozisht për tregun e punës, çfarë duan të bëjnë të nesërmen dhe jo thjesht të fokusohen te disa gjëra që realisht nuk do t'u shërbejnë," tregon mësuesja e shkollës.

Mjeshtri i ikonografisë thekson se mes këtyre nxënësve spikatin talente, gjë e cila e mbush me shpresë se kjo traditë do të vazhdojë.

"Ka fëmijë shumë të talentuar, të përsosur për moshën që kanë. Unë i kalova në provë një pjesë të tyre, duke i krijuar mundësinë për të bërë vizatim me dorë të lirë dhe pastaj u shpjegova se si fillohet një gdhendje," thotë z. Difo.

Nisma të tilla jo vetëm që nxisin moshat e reja drejt zanateve, por gjithashtu i orientojnë ata drejt profesioneve që kërkon tregu.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/