RTSH 24 Live

Kosovë

Fillon votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në botë

08/02/2025

Fillon votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në botë

Votimi për zgjedhjet e Kosovës ka filluar në Konsullatën e Kosovës në Zyrih, ku qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe janë regjistruar për të votuar kanë mundësinë të shprehin preferencën e tyre. Numri i qytetarëve të interesuar që presin për të votuar në këtë përfaqësi diplomatike është i madh.

Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas orës lokale në Kosovë.

Votimi më 8 shkurt zhvillohet në 43 vendvotime, në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.

Në disa shtete të ndryshme, ambasadat e Kosovës janë shndërruar në qendra të votimit për 20,324 shtetas të Kosovës që kanë zgjedhur këtë mënyrë votimi. Pjesëmarrës në procesin zgjedhor jashtë Kosovës janë gjithsej rreth 105,000 qytetarë, prej të cilëve 20,324 janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës citon RTK.

Po ashtu, rreth 17,000 shtetas janë regjistruar për të dërguar fletëvotimet në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 60,000 të tjerë do të dërgojnë fletëvotimet në kutitë postare të KQZ-së që janë hapur jashtë Kosovës.

Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

/rtsh.al/