RTSH 24 Live

Kulturë

Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliç drejt lumturimit

6 orë para

Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliç drejt lumturimit

Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliç nga nesër do të jenë të lumë dhe do të shpallen si njerëz të bekuar nga Papa Françesku.

Dy klerikët jetuan në shekullin e kaluar, kur edhe gjetën vdekjen në Shqipëri dhe Kosovë, njëri nga regjimi vendas dhe Atë Luigji nga forcat jugosllave.

Zëdhënësi i Kishës Katolike në Shqipëri, Dom Mark Pashkja, foli për emisionin "Mirëmëngjesi Shqipëri" në RTSH rreth së kaluarës së dy katolikëve shqiptarëve. Ai tha se Gazulli dhe Paliçi i shërbyen me fisnkëri jo vetëm Kishës, por mbarë kombit shqiptar.

"Atë Luigj Paliç, me prejardhje shqiptare Palaj, është nga Janjeva, nga Kosova, i vrarë e i martirizuar nga ushtria serbe në një fshat afër Gjakovës për motivin e vetëm që nuk pranoi të asimilohej në sllav. Nesër ai do shpallet i lum nga Papa Françesku.

Dom Gjon Gazulli është një figurë tjetër e një kohe pak më të vonë, rreth viteve '20. Ai qe dënuar me varje nga mbreti Zog. Duke qenë famullitar kryesisht në zonat e Pukës, ai denoncoi herë pas here nëpërmjet letrave dhe në shtyp varfërinë e asaj periudhe në këto zona. U bë një avokat i të varfërve dhe nuk hezitoi të ngrinte zërin ndaj politikave diskriminuese të qeverisë kundrejt zonave të veriut. Ai u dënua me varje në Shkodër te ajo që sot quhet Fusha e Druve dhe direkt pas varjes me litar autoritetet atëherë nuk lejuan asnjë lloj ceremonie fetare. Vlen të theksohet fakti se gjatë shumë viteve të komunizmit, kur nga 1967 e këtej feja ndalohej me ligj, varri i tij u bë një objekt pelegrinazhi për shumë familje. Në Shkodër e njohin si Varri i Shenjtë," tha Dom Pashkja.

Gati 8 vite më parë, më 5 nëntor 2016, Papa Françesku shpalli të lumë edhe 38 martirë katolikë të vrarë në kohën e regjimit komunist. Ai shpjegoi se për shkak të periudhave të ndryshme kohore, dy klerikët që presin lumturimin tani, nuk u përfshinë në grupin e parë.

"Në Vatikan, për të arritur një proces lumturimi janë disa komisione: komisioni historik, komisioni teologjik dhe komisioni i kardinalëve. Këto komisione marrin në shqyrtim nëse personat e paraqitur nga kishat tona në Shqipëri janë të përshtatshëm apo jo. Rasti i Paliçit në vitin 1930 dhe rasti i Gazullit në vitin 1923 ka bërë që të shkëputen. Kur Kisha Katolike paraqiti rastin e 38 martirëve gjatë kohës së komunizmit, duke qenë më e afërt dhe e prekshme kronologjikisht, ne kemi preferuar dhe Vatikani na ka këshilluar që të kryhej në fillim ai proces, që të kenë precedencën," u shpreh Dom Pashkja.

Brenda Kishës Katolike ekzistojnë dy shkallë vlerësimi për njerëzit dhe lumnimi është shkalla e parë e lartë drejt shenjtërimit.

"Nëse ne arrijmë përmes dëshmive ose nëse kemi persona që dëshmojnë për hire ose mrekulli, të cilat pasi studiohen nga një grup ekspertësh mjekësorë dhe nuk u jepet shpjegim nga pikëpamja mjekësore-shkencore, atëherë këta mund të shpallen të shenjtë. Përndryshe mund të qëndrojnë gjithmonë të lumë," tha Dom Pashkja.

/rtsh.al/